Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka nisur sot një program bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë (BSH), Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQRK) dhe Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë (BKRM). Për këtë program, Bashkimi Evropian (BE) ka dhënë 500,000 euro nga fondet e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit.
Programi synon përgatitjen e këtyre bankave qendrore për anëtarësim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (ESCB), pasi ekonomitë përkatëse të kenë përmbushur kërkesat për anëtarësim në BE. Në kuadrin e programit, do të përgatiten raporte për vlerësimin e nevojave për BSH-në dhe BQRK-në, duke identifikuar progresin e mëtejshëm që duhet bërë për përmbushjen e standardeve të BE-së për bankat qendrore. Më tej, programi do të analizojë përparësitë për forcimin e mëtejshëm të BKRM-së, pas vlerësimit të nevojave të funksioneve të BKRM-së, i cili u krye gjatë viteve 2012-2013.
Në themel të këtij programi bashkëpunimi, Raporti i parë i Ndërmjetëm u nënshkrua sot në Tiranë nga Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Ardian Fullani, Guvernatori i BSH-së, Bedri Hamza, Guvernator i BQRK-së, Fadilj Bajrami, Zëvendësguvernator i BKRM-së dhe Clive Rumbold përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Të gjithë nënshkruesit e mirëpritën këtë program si një tjetër hap për forcimin e bashkëpunimit midis bankave qendrore në Evropë dhe përforcimin e lidhjeve midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke njoftuar fillimin e programit, z. Mersch tha: "Bankate forta qendrore luajnë rol kyç për stabilitetin monetar dhe financiar në Evropë dhe në gjithë botën. Me këtënismë të përbashkët, komuniteti i bankave qendrore në BE qëndron i gatshëm të mbështesë kolegët tanë në Ballkanin Perëndimor, në përpjekjet e tyre për të sjellë standardet më të larta, me përfitim për vendet dhe popujt të tyre".
Z. Fullani shtoi se: "Qëllimi përfundimtar i asistencës teknike të BQE-së shkon përtej transferimit të ekspertizës. Duke ndarë praktikat e mira të zhvilluara brenda ESCB-së dhe duke forcuar marrëdhënie afatgjata midis bankave qendrore të rajonit, BQE-ja na ndihmon jo vetëm për të arritur nivele më të larta pavarësie, llogaridhënieje dhe profesionalizmi, por edhe për të nxitur stabilitetin monetar dhe financiar në rajonin tonë".
Duke theksuar rëndësinë e kritereve ekonomike për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, z. Rumbold u shpreh se: “Me rritjen e numrit të Shteteve Anëtare nga 6 në 28, BE ka mësuar rëndësinë thelbësore të trajtimit në radhë të parë të parimeve themelore. Këto parime përfshijnë: shtetin e së drejtës, qeverisjen ekonomike, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore. Është thelbësore që Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit të intensifikojnë reformat për të ndërtuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, për të përballur sfidat që nevojiten për përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësimin në BE dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë.”
Pas takimit të parë të komitetit drejtues të programit në Tiranë, sot ka nisur puna për raportin e analizës së nevojave për BSH-në. Përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ekspertë nga BQE-ja dhe ESCB-ja do të vlerësojnë dhe do të bëjnë një analizë të 13 funksioneve të BSH-së në krahasim me standardet dhe politikat e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Më vonë gjatë vitit, do të analizohen shtatë nga fushat e veprimtarisë së BQRK-së.
Programi po zbatohet nga BQE-ja në partneritet me bankat qendrore të Gjermanisë, Francës, Italisë, Maltës, Holandës, Austrisë, Portugalisë, Sllovenisë, dhe Sllovakisë. Gjithashtu, programin do ta mbështesin edhe ekspertë nga bankat qendrore të Bullgarisë dhe Republikës Çeke.
Për pyetje lidhje me median, kontaktoni Wiktor Krzyżanowski +49 69 1344 5755.